Më pak para fizike kanë qarkulluar jashtë sistemit bankar gjatë muajit janar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit u regjistruan 481 miliardë lekë në formën e kartëmonedhave jashtë bankave, 2 miliardë lekë më pak krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.
Rënia e parasë cash përkon me hyrjen në fuqi të tavaneve të reja të pagesave, të vendosura nga Ministria e Financave me synim uljen e përdorimit të parasë fizike.
Që prej 1 janarit, transaksionet mes individëve në cash lejohen deri në 500 mijë lekë, ndërsa për bizneset kufiri është 100 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që ishte deri vitin e kaluar.
Megjithëse rënia është e lehtë, të dhënat tregojnë një ndikim të menjëhershëm të masave kufizuese në nivelin e parasë fizike në ekonomi.