Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Endrit Nikën me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, ngjarje e ndodhur në Fushë-Kosovë në vitin 2023.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, në prani të të pandehurit, avokatit të tij dhe mbrojtjes së palës së dëmtuar. Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.
Pas shpalljes së vendimit, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi duke e cilësuar dënimin prej 18 vjetësh si “jo proporcional me peshën e krimit” dhe seriozitetin e rrethanave. Organizata e konsideroi rastin si femicid, duke theksuar se vrasja e grave për shkak të gjinisë është shkelje e rëndë e të drejtës për jetë dhe kërkon ndëshkim maksimal.
Sipas reagimit, dënime të tilla rrezikojnë të normalizojnë dhunën ndaj grave dhe të dërgojnë mesazhin se jeta e grave vlen më pak. Rrjeti kërkoi që gjykatat të njohin qartë motivin gjinor dhe të aplikojnë standardet më të larta të ndëshkimit. Organizata ofron këshillim dhe ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Aktakuza ndaj Nikës ishte ngritur në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në një hotel në Fushë-Kosovë, ai e kishte goditur viktimën dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parking. Më pas, sipas aktakuzës, në dhomën e hotelit kishte vazhduar përleshjen, duke e shtyrë drejt dritares dhe duke e hedhur nga kati i gjashtë. Viktima nuk iu mbijetoi plagëve nga rrëzimi.
Sipas të dhënave, në Kosovë nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra. Organizatat për të drejtat e njeriut në disa raste kanë kritikuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna, ndërsa në shumicën e rasteve autorë kanë qenë bashkëshortët, baballarët ose djemtë.