Një 18-vjeçar nga Alicante, Spanjë, ka shkaktuar një kaos të vërtetë në botën digjitale pasi ka hakuar një sërë agjencish, ministrish dhe kompanish, duke përfshirë edhe bazat e të dhënave të NATO-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky rast është bërë i njohur pas një raporti të policisë spanjolle, që njoftoi arrestimin e të riut të martën, pas një hetimi të gjatë.
Policia ka zbuluar se 18-vjeçari kishte akses në një gamë të gjerë shërbimesh kompjuterike të enteve publike dhe private. Kjo përfshinte Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Arsimit, si dhe baza të të dhënave ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së, duke sjellë shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare. Përveç këtyre, ai ka aksesuar edhe kompani të tjera ndërkombëtare.
Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, autoritetet zbuluan më shumë se 50 llogari kriptomonedhash dhe një numër të madh pajisjesh kompjuterike, të cilat janë duke u analizuar nga ekspertët. Ata dyshojnë se 18-vjeçari mund të jetë i përfshirë në aktivitete të tjera të paligjshme kibernetike, përveç hakimeve që ka kryer.
Pas arritjes së aksesit në bazat e të dhënave, të cilat përmbanin informacion personal për punonjësit dhe klientët, si dhe dokumente të klasifikuara, ai ka shitur ose postuar këto të dhëna falas në forume të ndryshme online, duke shkelur rregullat e sigurisë dhe duke krijuar kaos në shumë organizata.
Hetimi ka nisur që në shkurt të këtij viti, pas një denoncimi nga një kompani në Madrid, e cila kishte identifikuar një postim në një forum të njohur për shpërndarjen e të dhënave të rrjedhura. Pas hetimit të detajuar, autoritetet zbuluan se sistemi i kësaj kompanie ishte plotësisht i komprometuar dhe se të dhënat ishin nxjerrë nga një numër i gjerë burimesh.
Për sa i përket motivit të tij, 18-vjeçari ka deklaruar gjatë hetimeve se hakerimi ishte një sfidë personale për të dhe se e bëri këtë për “qejf”. Ai ka theksuar se nuk kishte asnjë qëllim financiar ose politik, por se hakimi i këtyre organizatave ishte një lloj loje për të.
Ky rast ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë kibernetike dhe ka vënë në dukje rreziqet që mund të vijnë nga individë të rinj me aftësi teknologjike të jashtëzakonshme, të cilët mund të abuzojnë me ato për qëllime personale. Hetimet vijojnë dhe pritet që të zbulohen më shumë detaje në lidhje me aktivitetet e tij.