1,500 kuota të reja për kredi të buta në Tiranë, Këshilli Bashkiak miraton programin

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 1,500 kuota të reja për mbështetjen e familjeve me kredi të buta për strehim.

Gjatë mbledhjes, Kryetarja e Deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, bëri të ditur se vendimi vjen pas rritjes së numrit të aplikimeve për programin social të “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”.

Sipas saj, gjatë thirrjes së vitit 2025 u shpallën fitues 1,231 individë apo familje me fondet e buxhetit të shtetit. Duke marrë në konsideratë trendin në rritje të kërkesave, Bashkia ka planifikuar në programin buxhetor afatmesëm 2026–2028 mbulimin e 1,500 kuotave të reja me fondet e saj.

Programi mbështet familjet dhe individët që nuk kanë banesë në pronësi ose zotërojnë sipërfaqe nën normat e strehimit, që nuk kanë kryer tjetërsim prone në pesë vitet e fundit (përveç rasteve të forcës madhore) dhe që nuk përballojnë normën e interesit të tregut për blerjen e një banese.

Ristani theksoi se miratimi i projektvendimit synon rritjen e aksesit në pronësi për familjet e reja, uljen e barrës financiare të interesit bankar, si dhe forcimin e rolit të Bashkisë së Tiranës në politikat sociale.

Procesi i aplikimit do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë përfshin aplikimin elektronik përmes portalit “e-Albania” brenda 30 ditëve dhe shpalljen publike të listave. Faza e dytë përfshin dorëzimin e dokumentacionit, verifikimin administrativ brenda 30 ditëve dhe shqyrtimin nga Komisioni i Strehimit brenda 45 ditëve. Në çdo fazë parashikohet e drejta e ankimimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033