13-vjeçari godet me thikë një nxënës ne shkollën e tij, vetëm për një “pse të kalosh ti i pari?”

Një episod i rëndë dhune mes të miturve ka tronditur Sarandën, pasi një konflikt banal mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare ka përfunduar me plagosje me thikë.

Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës jopublike “Dea”, ku dy nxënës, Elton Gerdhuqi, 13 vjeç, dhe Rajan Haderi, 15 vjeç, u përfshinë në një debat që nisi me fjalët: “Pse të kalosh ti i pari dhe jo unë?”. Debati u përshkallëzua shpejt dhe 13-vjeçari nxori një thikë duke goditur në qafë shokun e tij më të madh në moshë.

15-vjeçari u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe aktualisht po kërkohet nga policia.

Forcat e rendit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e 13-vjeçarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave që çuan në aktin e dhunës. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin arsimor dhe tek prindërit, të cilët kërkojnë masa të menjëhershme për sigurinë e nxënësve në institucionet shkollore.

Ndaj Postimin: