Prej gati 12 vitesh, Dylber Shuli nga fshati Gurras i Pogradecit jeton me shpresën se një ditë do t’i shohë nipërit dhe mbesat të kthehen nga Siria.
Në tetor të vitit 2013, djali i tij Krenari u largua nga Shqipëria drejt Sirisë së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre. Atje lindi edhe një fëmijë i katërt. Më vonë, çifti humbi jetën, ndërsa fëmijët mbetën në kamp.
Kthimi i Eva Dumanit në Shqipëri e ka shtyrë të moshuarin të apelojë sërish për rikthimin e pjesëtarëve të familjes së tij.
Ai rrëfen se pas vdekjes së të birit dhe nuses, përgjegjësia për fëmijët ra mbi vajzën e madhe, Elonën, e cila u kujdes për tre të miturit dhe më pas u bë edhe vetë nënë e një djali.
Sipas familjes, Elona ka ruajtur komunikimin me të afërmit për vite me radhë dhe ka kërkuar ndihmë. Dylberi thotë se dëshira e vetme është që t’i shohë edhe njëherë nipërit dhe mbesat t’i mbushin oborrin e shtëpisë.
Për 90-vjeçarin, çdo ditë është pritje, me shpresën për t’i dhënë fund një makthi që zgjat prej më shumë se një dekade.