112 Vite Pavarësi: Shqipëria përkujton ditën e lavdishme të Kombit

Sot, më 28 Nëntor, shqiptarët në mbarë botën festojnë 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë ditë historike, më 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë një shtet sovran dhe të pavarur. Me fjalët e tij të paharrueshme, “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme,” ai vulosi aktin që do të ndryshonte përgjithmonë fatin e kombit shqiptar.

Në Kuvendin e Vlorës morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Kjo datë e shenjtë përkon edhe me një tjetër ngjarje të rëndësishme historike: më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin shqiptar mbi kalanë e qytetit.

Më shumë se katër shekuj më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali, i quajtur shpesh “babai i pavarësisë shqiptare,” mori një mision historik. I nisur më 19 nëntor nga Triestja, ai mbërriti më 21 nëntor në Durrës me vaporin austriak “Baron Bruck.” Në Durrës, Qemali u prit nga Dom Nikollë Kaçorri, një prej patriotëve të shquar të kohës, i cili më vonë do të bëhej zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.

Fillimisht, ngritja e flamurit ishte planifikuar të bëhej në Durrës më 22 nëntor, për të parandaluar përparimin e trupave të huaja në Shqipëri. Sidoqoftë, për shkak të situatës së tensionuar në qytet, Qemali vendosi që shpallja e pavarësisë të bëhej në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Telegrafi i tij u shpërnda në të gjitha trevat, duke thirrur delegatët që të mblidheshin në Vlorë për të formalizuar aktin historik.

Ndërkohë, në ditët para 28 nëntorit, rrethet patriotike në qytetet kryesore të vendit nisën valëvitjen e flamurit kombëtar. Elbasani ngriti flamurin më 25 nëntor, Tirana dhe Durrësi më 26 nëntor, ndërsa Kavaja, Peqini dhe Lushnja ndoqën shembullin e tyre më 27 nëntor. Këto akte ishin një dëshmi e qartë e vendosmërisë dhe bashkimit të popullit shqiptar për të mbrojtur sovranitetin e tij.

Kuvendi i Vlorës

Kuvendi i Vlorës shpalli zyrtarisht Shqipërinë të pavarur, duke formuar një qeveri të përkohshme me Ismail Qemalin në krye. Kjo qeveri kishte për detyrë të vendoste themelet e shtetit të ri shqiptar në një kohë kur rreziqet ishin të shumta, ndërsa forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme.

Nëntori i vitit 1912 shënon jo vetëm lindjen e një shteti, por edhe rilindjen e identitetit kombëtar shqiptar pas shekujsh pushtimi. Për këtë arsye, 28 Nëntori është shpallur festë zyrtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën e Kosovës, duke simbolizuar unitetin dhe qëndresën e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.

Kjo ditë e lavdishme mbetet një kujtesë e përhershme e sakrificës dhe përkushtimit të brezave që luftuan për liri. Ajo na fton të reflektojmë mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare dhe të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur arritjet e pavarësisë sonë.

Sot, ndërsa flamuri kuq e zi valëvitet krenar në të gjitha trojet shqiptare, shqiptarët përkujtojnë jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen që ndërtohet mbi themelet e lirisë dhe pavarësisë. Le të jetë kjo ditë një frymëzim për të vijuar rrugën e zhvillimit dhe integrimit kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera