Policia e Shtetit ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë rreth 1 milion euro me TVSH për shërbimin e rrjetit “Datacom”, infrastrukturës që garanton komunikimin e sigurt dhe transmetimin e të dhënave ndërmjet strukturave policore.
“Datacom” lidh drejtoritë, komisariatet dhe sistemet operative në një platformë të unifikuar, duke mundësuar shkëmbimin në kohë reale të informacionit, aksesin në databaza policore, funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar dhe koordinimin e operacioneve.
Tenderi është klasifikuar “Sekret” dhe do të zhvillohet jashtë skemës standarde të prokurimeve publike. Procesi do të kalojë në dy faza.
Në fazën e parë do të realizohet para-kualifikimi i operatorëve ekonomikë, ku autoriteti kontraktor do të verifikojë kriteret teknike dhe profesionale, pa marrë në konsideratë çmimin. Në fazën e dytë, kandidatët e përzgjedhur do të ftohen të paraqesin ofertat në përputhje me specifikimet teknike të tenderit.
Një nga kushtet kryesore për pjesëmarrje është posedimi i Certifikatës së Sigurimit Industrial në nivel jo më të ulët se “Sekret”, e vlefshme në momentin e zhvillimit të procedurës.