1.6 milionë euro për projekte mbetjesh në Fier dhe Elbasan

Agjencia e Mbetjeve hap tendera prej mbi 1.6 milionë euro për projekte dizenjimi në Fier dhe Elbasan, ndërsa inceneratorët mbeten në dështim e hetime.

Në mars 2024, qeveria ngriti Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, një strukturë e varur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kjo agjenci u krijua pas dështimeve të mëdha në menaxhimin e mbetjeve, sidomos me projektet e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Zyrtarisht, roli i saj është të koordinojë institucionet shtetërore dhe vendore me partnerët ndërkombëtarë e investitorët, duke promovuar riciklimin dhe përpunimin e mbetjeve. Në praktikë, duket se përgatit terrenin që menaxhimi i mbetjeve t’u kalojë kompanive private përmes skemash të ngjashme me koncesionet, ku faturën përfundimtare e paguan shteti dhe mjedisi.

Fieri ka qenë gjithmonë epiqendra e një problematike të rëndë. Fillimisht, mbetjet depozitoheshin në zonën e Sheqit, në hyrje të qytetit, mes një lagjeje të madhe. Era e rëndë dhe zjarret e shpeshta e kthyen situatën në alarm publik. Më pas, plehrat u zhvendosën në fshatin Verri, ku u ndërtua inceneratori, sot i hetuar nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, me disa ish-zyrtarë të akuzuar.

Tani, Agjencia e Mbetjeve ka hapur një tender me vlerë rreth 800 mijë euro për “hartim projekti” në Fier. Bëhet fjalë vetëm për dizenjimin e investimeve në zonën e mbetjeve, pa dhënë detaje të tjera. Pyetja që lind është e thjeshtë: çfarë bëjnë kompanitë private për të justifikuar miliona euro të tjera vetëm për projekte në letër, ndërkohë që miliona të tjera janë shpërdoruar ndër vite?

Në të njëjtën kohë, një tender tjetër është hapur për Elbasanin, me vlerë rreth 810 mijë euro. Edhe aty problematika është e ngjashme: inceneratori nuk funksionon dhe venddepozitimet janë kthyer në bomba ekologjike. Tonelata plehrash përfundojnë në lumin Shkumbin, ndërsa fusha e mbetjeve shpërthen shpesh në zjarr.

Në total, më shumë se 1.6 milionë euro janë dhënë për dizenjime. Ndërkohë shteti, që krijoi një agjenci të re për të menaxhuar mbetjet, nuk arrin të hartojë vetë projekte. A është paaftësi e qëllimshme, apo një tjetër skemë ku paratë e taksapaguesve zhduken përmes tenderave të fryrë?

Kjo histori e pafund e mbetjeve po e ngjan gjithnjë e më shumë me skenarët e viteve ’90 në Itali, kur mafia kontrollonte mbeturinat. Ndryshimi është se në Shqipëri, sipas shumë zërave kritikë, është vetë shteti që ka futur “duart” deri në rrënjë në këtë biznes të errët.

Ndaj Postimin: