1.4 milionë euro për sistemin elektronik të kontrollit kufitar në Durrës dhe Sarandë

Pas zbatimit në Aeroportin e Rinasit, verifikimi i automatizuar i udhëtarëve pritet të shtrihet edhe në Portin e Durrësit dhe në Portin e Sarandës. Për këtë qëllim, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë prokurimi me fond rreth 1.4 milionë euro.

Projekti parashikon projektimin, zhvillimin dhe implementimin e sistemit elektronik “Border Controller”, i cili do të mundësojë verifikimin e automatizuar të udhëtarëve në dy pikat portuale, me mundësi zgjerimi në të ardhmen edhe në pika të tjera kufitare detare apo tokësore.

Sistemi do të bazohet në teknologji moderne dhe arkitekturë të sigurt, duke përdorur pajisje inteligjente për lexim dokumentesh, kapje të imazheve në kohë reale dhe validim biometrik. Sipas objektivave të projektit, synohet rritja e sigurisë kufitare, lehtësimi i procedurave dhe rritja e efikasitetit operacional, duke garantuar mbrojtjen e të dhënave personale sipas standardeve ndërkombëtare.

Në dokumentacion theksohet se zgjidhja është aplikuar tashmë në Rinas, ku janë instaluar pajisje e-Gate që realizojnë kontrollin e udhëtarëve në mënyrë tërësisht elektronike, pa ndërhyrje njerëzore.

Sistemi funksionon përmes verifikimit biometrik automatik, duke lexuar të dhënat e pasaportës elektronike dhe krahasuar fotografinë e ruajtur në çip me imazhin e marrë në kohë reale. Procesi kryhet në mënyrë lokale, pa lidhje interneti dhe pa ruajtje të të dhënave pas verifikimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033