“Zjarr” për titullin, Apolonia mbetet makth, tronditet edhe Laçi, fierakët i marrin pikë në frymën e fundit.

08/03 16:05
Credits to Apollon TV

Nuk kanë fund blofet në këtë fillim faze të tretë, nuk i shpëton këtij trendi as ekipi i Laçit. Pas hapave fals të Partizanit e Teutës, kurbinasit kishin shansin e artë të shkëputeshin nga bashkëjetesa e gjatë me rivalët, fundja edhe kalendari i vinte në favor, këtë të hënë prisnin në shtëpinë e tyre ekipin e fundit të klasifikimit. Pikërisht ajo që kurbinasit i druheshin më shumë u bë realitet, Apolonia i bëhet sërish pengesë duke i marrë një pikë në një ndeshje ku duhet ta kishin mbyllur shumë më herët. “Armata” e Shpëtim Duros ishte superiore në çdo aspekt, krijuan raste pafund gjatë pjesës së parë por pa mundur të ishin të saktë në finalizim.

Me fillimin e pjesës së dytë, Duro hodhi në fushë Mentor Mazrekaj me fantazistin që dhuroi menjëherë një asisit për Shehun që brenda në zonë nuk fali duke kaluar bardhezinjtë në avantazh. Vendasit nuk e ulën ritmin, mbetën në kërkim të golit të qetësisë por as Lushkja e as Harmon nuk u treguan të saktë përpara porte.

Atëherë kur gjithçka po shkonte drejtë fundit, në minutën e 88-të, një dalje jo e mirë e portierit Sherri rezultoi fatale me Diop që përfitoi duke vendosur baraspeshën. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim rezultati, thjeshtë Apolonia konfirmoi statusin e tyre si makthi më i madh i trajnerit Duro teksa në dy përballjet e fundit kanë arritur ti marrin katër pikë. Fierakët i largohen sërish fundit ndërsa Laçi e bën dramë të vërtetë garën për titull.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.