
Zgjedhjet për kreun e ri të PD, publikohet FORMULARI: Ja kriteret që duhet të përmbushë kryedemokrati

Ditën e sotme Partia Demokratike ka publikuar kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e kësaj force politikie, para se të futen në garë.
Sipas rregullores kandidatët të cilët do të marrën pjesë në garë për kryetarin e Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat do të mbahen më 29 korrik, do të duhet të jenë anëtarë prej tre vitesh. Gjithashtu, një tjetër kriter është se kryetari i ri i PD-së duhet të ketë dhënë kontributin e tij në fushtatat e partisë gjatë tre viteve të fundit.
Më tej në formularin e publikuar nga PD zyrtare një tjetër pikë është se kandidatët duhet të mos kenë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demoratike dhe të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat, vlerat themelore dhe programin e kësaj force politike.
Kritere:
Aftësitë e angazhimit politik
-Të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh;
-Të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
-Të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
Integriteti moral
-Të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat, vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike;
-Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të Statutit të Partisë Demokratike;
-Të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet e dekriminalizimit (sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”);
-Të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet e dekomunistizimit (të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksionar i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme);
-Të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë së Partisë Demokratike, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik;
-Të jetë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, që kanë krijuar plagë të rënda shoqërore;
Aftësitë organizative
-Të ketë kontribut të spikatur profesional dhe politik;
-Të ketë demonstruar në të shkuarën aftësi të shquara organizative ose të ketë program të qartë politik për riorganizimin e Partisë në përputhje me vlerat themelore statutore;
-Të ketë njohje të mirë të strukturës organizative të Partisë Demokratike