Zbardhen 6 vrasje të bujshme/ I penduari i drejtësisë fundos bandën e Laert Haxhiut

28/09 14:19
Credits to Apollon TV
Zbardhen 6 vrasje të bujshme/ I penduari i drejtësisë fundos bandën e Laert Haxhiut

Artan Tafani, i arrestuar si autor i grabitjes së 30 mijë eurove në një exchange në zonën e Astirit në Tiranë, ka çuar në zbardhjen e 20 ngjarjeve kriminale, mes tyre 6 vrasje të bujshme.
39 vjeçari, i cili rezulton të jetë pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut, në Lushnjë, ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Pas bashkëpunimet të Tafanit me drejtësinë, Policia dhe FNSH kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në disa qytete për të shoqëruar personat, të cilët kanë marrë pjesë në ngjarje kriminale.
Dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, i cili zbardhi 6 vrasje të kryera nga grupi i Laert Haxhiu, çuan në lëshimin e 15 urdhër arresteve.
Bëhet me dije se deri më tani janë ndaluar 10 persona, dy prej të cilëve në Greqi, ku një ndër ta është Laert Haxhiu.
Dy nga vrasjet janë kryer në Greqi dhe 4 të tjera në Elbasan Korçë, Lushnje, Tepelenë.
Ndërsa dy prej personave te shpallur në kërkim, rezulton se ndodhen jashtë territorit shqiptar dhe pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar.
6 vrasjet e zbardhura prej tij janë nga vrasja e Alban Semakut i njohur si anëtar i bandës së Aldo Bares, vrasja e Albi Bashaliut në Elbasan, vrasja e Fridmand Xhaferraj në Korçë, vrasja e biznesmenit Çajup Selimi, si dhe vrasjet e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit në Greqi.
Po ashtu 39-vjeçari ka hedhur dritë mbi 5 raste ku janë shkatërruar prona me eksploziv, dy vjedhje me dhunë dhe tre raste në të cilat grupi kriminal ka siguruar kushtet për vrasje.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.