Yuri Kim reagon pas dënimit të ish-kryeprokurorit Llalla: Askush nuk është mbi ligjin

20/05 20:34
Credits to Apollon TV
Yuri Kim reagon pas dënimit të ish-kryeprokurorit Llalla: Askush nuk është mbi ligjin

Ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim ka reaguar pas dënimit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nga SPAK. Në një postim në rrjetet sociale ambasadorja shprehet se SPAK po  jep gjithnjë e më shumë rezultate. Sipas saj vendimi i sotëm tregon që askush nuk është mbi ligjin.

“Është mirë që SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate. Kjo çështje, e cila përfshin një ish-zyrtar të lartë të ndaluar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të rëndësishëm, tregon se askush pavarësisht sa i fuqishëm nuk është mbi ligjin. Kur të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë”.

Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg, si dhe 5 vjet heqje funksionesh publike, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.