Vizita e Melonit në Vlorë, media italiane zbulon “temat e nxehta”: Bisedoi me Ramën për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri

15/08 14:33
Credits to Apollon TV
Vizita e Melonit në Vlorë, media italiane zbulon “temat e nxehta”: Bisedoi me Ramën për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri

Mëngjesin e së hënës së 14 gushtit, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, u largua nga ferma në fshatin Ceglie, Messapica (Brindici), ku po kalonte pushimet me familjen e saj, për të ardhur në vendin tonë.

Me ftesë të kryeministrit Edi Rama, Meloni së bashku me vajzën e saj dhe bashkëshortin mbërritën në Vlorë, ku u pritën nga kreu i qeverisë dhe më pas u drejtuan drejt vilës qeveritare në Dhërmi.  Sipas asaj që shkruhej nga mediet kryeministrja Meloni pritet të qëndrojë dy ose tre ditë në vendin tonë.

Kjo vizitë e Melonit s’ka kaluar pa u komentuar gjerë e gjatë në mediat italiane. Sipas medies italiane “Quatidiano.net”, dy homologët darkuan së bashku dhe patën mundësinë të flisnin për probleme serioze si dhe për projekte të së ardhmes.

Meloni dhe Rama diskutuan lidhur me çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, për praninë e sipërmarrësve italianë te emigracioni, si dhe nuk lanë pa përmendur as luftën në Ukrainë si dhe të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjithashtu sipas kësaj medie bëhet me dije se në tryezën e diskutimit mes dy kryeministrave nuk munguan as temat e nxehta të energjisë dhe marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve të zonës së Ballkanit, çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në ish-bastionin e komunizmit.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.