
Tirane,pallati i shkrumbuar, policia shoqëron administratorin!

Zona përreth pallatave që u përfshinë nga flakët të enjten në ish-parkun e autobusëve në Tiranë është rrethuar me shiritë nga ana e policisë, që së bashku me ekspertët e zjarrfikëses po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të flakëve që shkrumbuan kate të tëra dhe rrezikuan jetët e qytetarëve. Paraprakisht policia dyshon se flakët kanë shpërthyer në katin e fundit të pallatit dhe më pas të ndihmuara nga materiali izolues i godinës ngjitur është përhapur me shpejtësi duke zbritur deri në katet e para. Me përjashtim të dy zjarrfikësve që mbetën të lënduar gjatë misionit të shuarjes së flakëve, fatmirësisht nuk pati persona të tjerë. Ndërkohë, hetimet janë përqëndruar edhe në verifikimin nëse në godinën në fjalë janë respektuar të gjitha kriteret e ndërtimit, që nga shkallët e emergjencës, deri te sistemi anti-zjarr. Të enjten, policia mori në pyetje administratorin e pallatit dhe pronarin e apartamentit të vendosur në katin e fundit, ku dyshohet se buruan flakët.