
‘Ti s’je burrë’, ZBARDHEN dëshmitë e kontrollorëve: Më tha zbrit nga kulla se përndryshe do të të hedh


Newsbomb publikoi më herët mesazhet e kontrollorëve të AlbControl në “WhatsApp” me njeri-tjetrin, teksa vihej re se gjithçka ishte e planifikuar dhe ata ishin bërë bashkë në një mendje.
Ishin këto mesazhet që “i bënë gropën” kontrollorëve, për 3 prej të cilëve prokuroria sot kërkoi masën ‘arrest me burg’, për Armando Fezgan dhe Muhin Mezinin dhe “arrest shtëpie” për Flora Ndrecën.
Sot kanë dalë dëshmi të tjera, ku një prej tyre thotë se nuk e kishte plotësuar formularin e paaftësisë, por më pas e kishte bërë këtë gjë. Sipas tij, pasi mësoi se 5 kolegë ishin pushuar nga puna dhe të gjithë të tjerët e kishin plotësuar formularin, në fund kishte vendosur edhe ai t’i bashkohej kolegëve.
“Flora Ndreca më ka pyetur se çfarë do të bëja me formularin e paaftësisë. I kam thënë se nuk do ta plotësoj. Debatet për plotësimin e formularit të paaftësisë kanë vazhduar disa minuta dhe për shkak se nuk lejohet debat në vendin e punës, i kam kërkuar që të largohet. Mes debateve, m’u drejtua duke më thënë “ti nuk je burrë”. Në këtë moment i jam përgjigjur që të zbresë nga kulla, përndryshe do ta hidhja nga kulla”, thuhet në dëshminë e njërit prej kontrollorëve të trafikut ajror, raporton A2.
Sipas mesazheve, Muhin Mezini, me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror ka ndikuar te vartësit e tij për plotësimin e formularëve të paaftësisë së përkohshme në punë.
Ditën e sotme situata në aeroportin e Rinasit u rikthye në normalitet, pas krizës prej më shumë se 48 orësh, ndërsa një pjesë e kontrollorëve u rikthyen në punë, pas thirrjes së bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Belinda Balluku.
6.04.2021, ora 11:34
Armando Fezga: Noku ja ka plotësua Lola gjërat dhe po pret turnin e dytë që ta nisi, turni i parë ACC e kanë gati. Hë në fund do e nisin
06.04.2021, ora 04:25
Endrit Hajredini: Po unë them duhet që të bëni dhe tokai jo vetëm atë
Klest Dashi: Mbylle kullën
Endrit Hajredini: Nuk pi ujë, guxim kam, por jo deri këtu, se ato letra i djeg maksimumi me çakmak mbrapa ndërmarrjes
****
06.04.2021, ora 21:12
Flora Ndreca – Gersi Spaho: Mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqje të gjithë, por shyqyr që u kujtuan të bëhen bashkë, e prekën fundin
06.04.2021, ora 10:50
Muhin Mezini i dërgon Olsi Petrit formularin e paaftësisë në punë
Olsi Petrit: Në 12 jam aty
06.04.2021, ora 10:49
Muhin Mezini i dërgon kontaktit të regjistruar me emrin Ezi formularin e paaftësisë në punë
Ezi: E mira është të shkruash me shkurt
/NewsBomb