
Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 në Marok, 300 të vdekur dhe 150 të plagosur

Rreth 300 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 150 të tjerë janë plagosur nga një tërmet tragjik që ka goditur Marokun natën e së premtes. Magnituda ka qenë 6.8 dhe dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin historik Marrakesh.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se ajo ishte lëkundja më e fortë që goditi atë pjesë të Afrikës së Veriut në më shumë se një shekull.
Tërmeti goditi në vargun malor të Atlasit në Marok pak pas orës 23:00 sipas kohës lokale në një thellësi relativisht të cekët prej 18.5 kilometrash, tha USGS, me epiqendër rreth 72 kilometra në jugperëndim të Marrakesh, një qytet me 840,000 banorë dhe një destinacion popullor turistik.
Të paktën 296 njerëz u vranë dhe 153 të tjerë u plagosën, tha të shtunën Ministria e Brendshme e Marokut.