
‘Të nisin hetimet’, Murrizi i kërkon Manastirliut të mbajë përgjegjësi për skandalin në Vlorë, ministrja ul kokën


Deputeti Myslym Murrizi ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit që të nisin menjëherë hetimet për mjekun në Vlorë, QSUT-në dhe Spitalin Infektiv, të cilat janë të lidhura me skandalin e të moshuarit nga Vlora, kufoma e të cilit u la 70 ditë në morg.
Murrizi i ka kërkuar llogari ministres Manastirliu që të ndërmarrë veprime konkrete lidhur me këtë rast.
Më tej, ai u shpreh se me vaksinën ruse po duan të vaksinojnë ata që janë 80-vjeç e sipër, pasi këtë vaksinë do t’ua japin nostalgjikëve komunistë për rusët.
“Propaganda e daljes me tenxhere në dorë, me termus, me trajsta me çdo ngarkesë është e pështirë. Së pari nuk është sadaka, por janë marrë nga taksat e shqiptarëve.
E falënderojmë princin e kurorës, por vaksinat nuk bëjnë më shumë se 12 mijë euro. Nuk besojmë se është ndonjë hata e madhe se një princ a kushdo qoftë dërgon peshqesh 13 mijë euro, aq sa kandidatët e juaj i kanë kostume.
Unë dua të di se kur do të vaksinohem më shumë se gjysma e shqiptarëve. Me këtë ritëm Shqipërisë i duhen 6 milion vaksina. Me këtë ritëm që u mbyll marsi a mund të më thoni se sa kohë do duhet që të përfundojë vaksinimi në vendin tonë.
Se çfarë lidhje ka rindërtimi vaksinimi nuk e di. A nuk kanë besim tek ju që ia dhanë këtij qametit. Po hani njëherë atë që morët më përpara.
Zonja ministre nuk e di se sa je e informuar për një ngjarje të transmetuar mbrëmë nga gazetarja Alketa Ceka. I ndjeri kishte 70 ditë në morg nga ai palaço mjek që thoshte ik se s’ta gjej unë babanë tënd. Kërkoj menjëherë hetimin e atyre mjekëve të Vlorës dhe të pseudo mjekëve të spitalit Infektiv, që na i keni sjellë si kandidatë. Nuk e di se si shtrohen, a janë me inventarë a jo. Nuk e di të them si bagëti, jo se edhe ata janë me inventar.
Kërkoj hetimin e atij palaços në Vlorë, të drejtorisë së QSUT-së dhe të Infektivit për hedhjen e kufomës së të ndjerët.
Ju morët vaksinat ruse, ju anti-rusët e mëdhenj. Ju që po tu kontrolloni mbani në kuleta foton e Enver Hoxhës. Edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë. Pse e keni ndarë në grupmoshë, keni qejf që nostalgjikët e komunizmit të marrin vaksinën ruse.
Propagandën e keni 10-fish më shumë se sa punën”,- tha Murrizi.