
Sulmi i hakerave rus, qytetarët nuk paguajnë dot gjobat e makinave, a do shtyhet afati?!

Një sulm i hakerave rus që ka nisur ditë më parë ka arritur të nxjerr jashtë funksionit një numër faqesh zyrtare në internet të institucioneve shqiptare. Newsbomb.al mëson se pre e këtij sulmi ka rënë dhe sistemi për pagesën e gjobave të mjeteve.
Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve nuk mund të paguajnë as gjobat e Policisë Rrugore dhe as ato të vendosura nga Policia Bashkiake, kryesisht në Tiranë, por dhe në rrethe.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia Rrugore dhe as nga Bashkia Tiranë, por nga një interesim i yni pranë Postës Shqiptare dhe pikave të rimbushjes, na është thënë se prej të paktën 4 ditësh (sot) nuk punon sistemi.
Siç e përcaktojnë dhe ndryshimet e reja të Kodit Rrugor, që kanë hyrë në fuqi prej javësh, të gjithë drejtuesit e mjeteve që e paguajnë masën administrative brenda 15 ditëve nga marrja e saj, do ta shlyejnë atë me 50% ulje.
Mirëpo, në kushtet kur sistemi nuk punon, nuk ka asnjë reagim se çfarë do të ndodhë me qytetarët që nuk mund t’i paguajnë këto gjoba për shkak të rënies së sistemit, sepse nëse kalojnë 15 ditë vlera e masës administrative rritet gradualisht.