
Stalla e bagëtive si bazë armësh, 40 vjeçarit nga Pogradeci i gjenden mitraloz, pushkë e granata

Alti Jasharllari, një 40 vjeçar nga Pogradeci është arrestuar pasi në një stallë bagëtish në afërsi të shtëpisë së tij janë gjetur të fshehura disa lloje armësh. Policia e Shtetit bën me dije se këto armë do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve disajavore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Starova”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë i shtetasi:
– Alti Jasharllari, 40 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimit me qytetarët, se një shtetas posedonte në banesën e tij një arsenal armësh, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe lokalizuan shtetasin A. J., në fshatin Starovë. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e një stalle bagëtish, e cila ndodhej në afërsi të banesës së tij, u gjetën të fshehura:
Një mitraloz i lehtë; një armë zjarri tip automatik; dy pushkë gjysmëautomatike; një sasi e konsiderueshme municioni luftarak; krëhëra automatiku, pushke dhe mitralozi; 1 gjerdan mitralozi me 30 fishekë; një granatë dore ofensive; pjesë të lëvizshme të pushkës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Alti Jasharllari do të trafikonte arsenalin e armëve dhe municioneve luftarake, në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti të paligjshëm, thotë Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.