
SPAK urdhër-arresti për Vangjush Dakon

Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë urdhër-arreste për disa ish-zyrtarë të bashkisë Durrës, mes të cilëve është edhe ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.
Mësohet se masa e arrestit ndaj Dakos ende nuk është ekzekutuar.
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raportoi se në mënyrë jozyrtare është mësuar se bëhet fjalë për një procedim penal të hetuar prej kohësh lidhur me një ndërtim pa leje.
Akuzat që rëndojnë mbi Dakon dhe ish-zyrtarët e bashkisë janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
“Bëhet fjalë për një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2011, ku ish-zyrtarët dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke favorizuar persona të ndryshëm. Kjo dosje është hetuar nga prokurori i SPAK Sotir Kllapi”, raportoi gazetari Ferhati.
Dako është shpallur non grata nga SHBA që nga 2019 dhe atij dhe familjes së tij nuk i lejohet hyrja në SHBA.