Si ndikojnë temperaturat e larta te variçet?

04/08 13:01
Credits to Apollon TV
Si ndikojnë temperaturat e larta te variçet?

Nga kirurgu kardio-vaskular Dr. Artan Jahollari

Temperaturat e larta të kësaj vere mund të kenë bërë që këmbët tuaja të jenë të enjtura, të dhembshme, me një ndjesi parehatie dhe kruarje apo një kombinim i këtyre simptomave. Të gjitha këto shenja mund të shkaktohen nga Sëmundjes Kronike e Venave (SKV) shpesh e quajtur edhe Insufiçienca (Pamjaftueshmëria) Kronike Venoze.

Pse SKV përkeqësohet me nxehtësinë?

Pamjaftueshmëria kronike e venave është rezultat i qarkullimit të dobët të gjakut në venat e këmbëve. Valvulat e dëmtuara si dhe zgjerimi i venave (variçet) shkakton grumbullimin e gjakut në këmbë duke bërë që gjendja e tyre të përkeqësohet me përparimin e sëmundjes.

Temperaturat e larta shkaktojnë zgjerim të venave për të ndihmuar trupin tuaj të freskohet nëpërmjet qarkullimit të gjakut drejt lëkurës. Por nga ana tjetër mund të përkeqësojnë simptomat e pamjaftueshmërisë venoze duke shtuar vëllimin e gjakut që mbajnë venat, zgjerimin e tyre dhe rritjen e enjtjes së këmbëve (edemë).

Natyrisht, djersitemi më shumë kur është nxehtë. Kjo mund të ulë nivelin e kripërave në gjak, duke kontribuar akoma më shumë në rritjen e edemës së këmbës.

Kini kujdes nga simptomat e mëposhtme si: rëndesë dhe lodhje e këmbëve; kruarje dhe parehati; ngërçe dhe dhimbje, fryrje dhe skuqje e variçeve.

Në vijim tre hapa të rëndësishëm për t’ju ndihmuar të mbani nën kontroll dhembjen dhe acarimin e këmbëve.

1. Qëndroni në ambient të freskët!

Nxehtësia ekstreme bën që enët e gjakut të zgjerohen ndaj mënyra më efektive për ta parandaluar përkeqësimin e simptomave është të kufizoni ekspozimin në oraret e temperaturave të larta.

Sigurohuni që të jeni të hidratuar duke pirë shumë ujë ose pije të tjera jodiuretike si qumështi ose lëngje.

Shmangni ose ulni konsumin e alkoolit, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës, pasi shkakton zgjerimin e enëve të gjakut dhe mund të çojë në dehidrim.

Noti apo një dush me ujë të freskët janë ndër mënyrat më të mira për të rregulluar temperaturën e trupit.

2. Mos u lodhni!

Çfarëdo aktiviteti fizik që të jeni duke kryer, sigurohuni që të bëni pushime të shpeshta. Mos e sforconi veten kur temperaturat janë të larta.

Nëse këmbët i ndjeni të lodhura nga puna apo një ecje e gjatë mos harroni të pushoni. Shumë stres në këmbë mund të jetë po aq problematike sa edhe mungesa e aktivitetit fizik, veçanërisht nëse temperaturat janë të larta.

Gjeni kohë gjatë ditëve më të nxehta për t’u çlodhur dhe ngritur këmbët duke përdorur një jastëk ose karrige. Kjo mund të ndihmojë në uljen e ënjtjes dhe rritjen e qarkullimit të gjakut.

3. Kërkoni trajtim të mëtejshëm!

Nëse jeni duke bërë gjithçka siç duhet, por nxehtësia ende ju shkakton simptoma, atëherë nuk mjafton vetëm kujdesi juaj, por duhet të kërkoni trajtim mjekësor. Përdorimi i ilaçeve venotonike, kremrave heparinoidë, holluesve të gjakut dhe çorapeve elastokompresive janë disa nga mënyrat e trajtimit konservativ, ndërsa për rastet e avancuara ndërhyrjet invazive janë zgjidhja e duhur.

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.