
Shqipëria nënshkruan 13 marrëveshje me Kosovën, Rama nuk takohet me Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë turneut të tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Prishitnë është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja, pas takimit, tha se me Ramën diskutuan “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit”. Turneu ballkanik i Ramës synon pikërisht të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.
U bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces [të Berlinit], e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”, tha Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media.
Në këtë takim dypalësh u tha se u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dhe se presidentja Osmani theksoi se Kosova “ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.
Mes tjerash, sipas njoftimit të Presidencës, thuhet se Rama dhe Osmani u dakorduan që “të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve” të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.
Rama, më herët gjatë ditës njoftoi se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës.
Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.