
Shpërthimi i makinës së prokurorit, KLGJ në mbështetje të gjyqtares Gentiana Muçaj: Kërcënim serioz për sistemin e drejtësisë, të gatshëm të bashkëpunojmë për zbulimin e autorëve


Pasditen e djeshme në një parkim të “Komuna e Parisit” shpërtheu makina e prokurorit Arjan Muçaj, pasi i ishte vendosur eksploziv nga persona të paidentifikuar ende.
Arjan Muçaj është bashkëshorti i gjyqtares Gentiana Muçaj, ndaj KLGJ me anë të një reagimi zyrtar është solidarizuar me familjen e gjyqatres, teksa shkruan se ngjarja e djeshme është një kërcënim serioz për sistemin e drejtësisë.
KLGJ shprehet e gatshme të bashkëpunojë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me aktin kriminal të datës 11.3.2021 ndaj anëtarëve të familjes së gjyqtares Gentiana Muçaj dhe dënon me forcë çdo akt që cenon sigurinë e gjyqtarëve.
Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen e palëkundur familjes Muçaj dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.