
Shkatërrohet grupi i shpërndarësve të drogës në Tiranë e rrethe, mbi 100 të arrestuar

Një operacion i gjerë antidrogë ka nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet dhe disa qytete të tjera të vendit. Prokuroria e Tiranës ka firmosur disa urdhërarreste, ndërsa raportohet se në pranga kanë përfunduar mbi 100 persona pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së drogës.
Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Policia bën me dije se anëtarët e grupit shisnin kanabis, kokainë dhe heroinë. Në kuadër të megaoperacionit në Elbasan janë arrestuar 9 persona, mes të cilëve edhe një punonjës policie, Sajmir Hysa, ndërkohë që 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Hetimi ndaj këtij grupi ka nisur muaj më parë.
Policia hetoi lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje dhe zbuloi anëtarët e tjerë. Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.
Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Elbasan, Fier, Durrës, Shkodër dhe Korçë.