SANKSIONET PERËNDIMORE QË MUND TA SHËNJESTROJNË RUSINË

21/01 12:08
Credits to Apollon TV
SANKSIONET PERËNDIMORE QË MUND TA SHËNJESTROJNË RUSINË

Rritja e tensioneve ndërmjet Moskës dhe fuqive perëndimore ka rritur mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë, që ndoshta do të ishin sanksionet më të rënda që janë vendosur deri më tani, nëse Kremlini sulmon Ukrainën.

 

Javën e kaluar, demokratët në Senatin amerikan prezantuan një projektligj për vendosjen e sanksioneve gjithëpërfshirëse ndaj Qeverisë dhe zyrtarëve ushtarakë rusë, përfshirë edhe ndaj presidentit Vladimir Putin dhe institucioneve bankare, nëse Rusia përfshihet në veprime armiqësore ndaj Ukrainës.

 

Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në afërsi të kufijve të Ukrainës. Kievi dhe aleatët kanë shprehur frikën se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një ofensivë të re ushtarake.

 

Rusia, që mohon se po planifikon ta sulmojë Ukrainën, ka qenë subjekt i sanksioneve që prej se më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Masa të tjera ndëshkuese u shtuan pasi një ish-spiun rus u helmua në Britani më 2018 dhe pas një hetimi për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, ku fitoi Donald Trump. Rusia ka mohuar se ka pasur rol në helmimin e ish-spiunit Yuri Skripal dhe vajzës së tij dhe po ashtu ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhje të huaja.

 

SHBA-ja veçse ka vendosur sanksione për aktivitete destabilizuese në Ukrainë. Më 20 janar, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar katër ukrainas, që u tha se kanë qenë të përfshirë ngushtë në përpjekjet e dezinformimit nga Shërbimi Federal i Rusisë (FSB).

 

“Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ekspozuar dhe luftuar fushatën e rrezikshme dhe kërcënuese të ndikimit dhe dezinformimit në Ukrainë. Ne jemi të përkushtuar që të ndërmarrim hapa që të mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saja destabilizuese”, tha zëvendëssekretari i Thesarit, Wally Adeyemo.

 

Të sanksionuar janë dy deputetët aktualë Taras Kozak e Oleh Voloshyn dhe ish-zyrtarët qeveritarë ukrainas Volodymyr Oliynyk dhe Vladimir Sivkovich. Më poshtë mund të mësoni se cilat janë mënyrat se si sanksionet perëndimore mund ta shënjestrojnë Rusinë:

 

Largimi nga SWIFT

Një prej masave më të ashpra do të ishte largimi i sistemit financiar rus nga sistemi global i mesazheve të pagesave elektronike, i njohur si SWIFT. Ky sistem përdoret gjerësisht për transaksionet financiare ndërkombëtare.

 

SWIFT, që përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare në mbi 200 shtete, ka selinë Belgjikë dhe drejtohet nga një bord i drejtorëve që ka 25 anëtarë. Në këtë bord bën pjesë edhe Eddie Astanin, që udhëheqë NCC, një qendër ruse që ndërmjetëson transaksionet financiare.

 

Ka pasur një precedent: Në mars të vitit 2012, SWIFT-i largoi bankat iraniane nga sistemi për shkak të vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit lidhur me programin bërthamor. Ky vendim bëri që Irani të humbiste gjysmën e të ardhurave nga eksporti i naftës dhe 30 për qind të tregut të jashtëm, thuhet në të dhënat e Qendrës Carnegie në Moskë.

 

Ekonomia e Iranit është më e vogël dhe nuk është aq e lidhur ndërkombëtarisht si ekonomia ruse, ndërlidhja e së cilës me Perëndimin ka funksionuar si mburojë. Nëse merret vendimi për largimin e Rusisë nga SWIFT-i, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të humbasin më shumë pasi bankat e tyre janë përdorueset më të shpeshta të SWIFT-it me bankat ruse, tha Maria Shagina nga Qendra Carnegie në Moskë.

 

Thirrje për largimin e Rusisë nga qasja në SWIFT kishte pasur më 2014, kur Moska aneksoi Gadishullin Ukrainas të Krimesë, duke bërë që Moska të krijonte një sistem alternativ të mesazheve, të njohur me akronimin SPFS.

 

Numri i mesazheve të dërguara përmes sistemit SPFS arriti rreth dy milionë ose një e pesta e gjithë trafikut të brendshëm rus gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të bankës qendrore. Këtë shifër, deri më 2023, autoritetet ruse kanë për qëllim që ta rrisin për 30 për qind. Megjithatë, sistemi SPFS, që ka numër të kufizuar të mesazheve që mund të dërgohen dhe funksionon vetëm gjatë ditëve të punës të javës, nuk përdoret shumë nga anëtarët e huaj, ka thënë Shagina në një artikull të publikuar më 2021.

 

Brian O’Toole, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, tha se largimi i Rusisë nga SWIFT-i do të ndihet në fillim, por ndikimi nga ky largim do të zhduket me kalimin e kohës.

 

“Disa pagesa do të vonoheshin, por po ashtu do të kishte rritje të kostos për këto pagesa. Por, nëse flasim në përgjithësi, ka pak gjasa që të ketë ndonjë kolapsim masiv të tregtisë ruse për aq kohë sa tregtia ligjore nuk do të sanksionohet”, tha O’Toole.

 

Goditja në tregun e bonove

Qasja në bonot ruse po kufizohet gjithnjë e më shumë dhe kufizimet mund të shtrëngohet edhe më tej, nëse opsion do të jetë ndalimi i pjesëmarrjes në tregun sekondar.

Në prill të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ndaloi investitorët amerikanë që të blejnë bono e rublës ruse për shkak të akuzave për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane.

Sanksionet e vendosura më 2015 bën që borxhi i dollarit rus të papërshtatshëm për shumë investitorë dhe indekse, siç është EMBI Global i JPMorgan. Këto masa, që prej vitit 2014, ulën borxhin e jashtëm të Rusisë me 33 për qind nga 733 miliardë dollarë në 489 miliardë dollarë në vitin 2021. Borxhi më i ulët e përmirëson bilancin e një vendi, por e privon atë nga burimet e financimit që mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin.

Firmat dhe institucionet financiare
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian veçse kanë vendosur sanksione ndaj sektorëve të energjisë, financave dhe të mbrojtjes së Rusisë. Më herët, Shtëpia e Bardhë vendosi kufizime për bankat më të mëdha ruse dhe masa që synonin të preknin aftësinë e Moskës për të këmbyer rublat në dollarë dhe në monedha të tjera. Uashingtoni po ashtu mund të shënjestrojë Fondin e Investimeve Direkte, që mbështetet nga shteti rus.

Sanksionet që aplikohen ndaj firmave të posaçme zakonisht shkaktojnë panik në mbarë sektorin, tha ish-ekonomisti i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Stone. Këto sanksione, sipas tij, i shqetësojnë investitorët se sanksionet mund të zgjerohen.

“Sanksionimi i të gjitha transaksioneve që bëhen me bankat ruse dhe ngrirja e aseteve do të kishte më shumë ndikim” sesa largimi i Rusisë nga SWIFT-i, që do të bëhej më i dobishëm vetëm pas sanksioneve të gjera të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, BE-së, tha O’Toole.

© 2022 APOLLON TV. All Rights Reserved.