Sali Berisha pranon ftesën e Bardhit: Nesër do jemi në tryezën e pajtimit! REFUZON Basha

04/09 11:36
Credits to Apollon TV
Sali Berisha pranon ftesën e Bardhit: Nesër do jemi në tryezën e pajtimit! REFUZON Basha

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe njëherësh drejtuesi i Rithemelimit, ka njoftuar se do të jetë pjesë e tryezës së pajtimit që ka njoftuar Gazment Bardhi. Nga oborri i Kuvendit, Berisha tha se ai dhe deputetët që ka pas vetes do marrin pjesë në takim.

“Po do të marrim pjesë. Ne shkojmë aty dhe do të marrim pjesë. Edhe ftesën e konsiderojmë hap pozitiv dhe ne do të marrim pjesë”, u shpreh Sali Berisha. I pyetur nëse bëhej fjalë për negociata apo bashkim, ai tha se këto do njoftohen në momentin e duhur.

“Do ti mësoni që të gjitha në kohën e duhur, por ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës.”

Dy grupimet, tashmë bashkë me ata deputetë që mbështesin Bardhin, duket se janë më afër me njëri-tjetrin sesa me Lulzim Bashën. Berisha njoftoi tre ditë më parë se edhe deputetët e tij i kishin kërkuar bashkim e pajtim ndaj ai theksoi se dera e PD ishte e hapur për Bardhin.

Mirëpo, kjo ftesë për t’u ulur në një tryezë të përbashkët është refuzuar nga Lulzim Basha. Kuvendi Kombëtar dhe Statuti i ri që u miratua më datë 2 shtator e thelluan më tej krisjen mes tij dhe Berishës e Bardhit.

Kjo krisje është parë edhe më e theksuar në seancën e sotme plenare, teksa kamerat kanë fokusuar disa herë bisedën e tensionuar mes Bashës dhe Bardhit, pasi kryedemokrati kishte çuar në Kuvend kërkesën për largimin e tij nga kreu i Grupit Parlamentar.

Megjithatë, deri në tryezën e nesërme të pajtimit a bashkimit, sido të quhet ajo, janë shumë orë në disspozivion dhe gjërat mund të ndryshojnë.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.