Sali Berisha nuk pranon humbjen në Kukës: Atje votat u blenë!

29/09 13:10
Credits to Apollon TV
Sali Berisha nuk pranon humbjen në Kukës: Atje votat u blenë!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë për rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme në Kukës. Ai sigurisht nuk e ka pranuar rezultatin dhe është shprehur se votat në bashkinë veriore janë blerë nga “regjimi” i Edi Ramës.

I pyetur nga gazetari se përse komisionerët dhe numëruesit e Partisë Demokratike u braktisën nga funksionarët e lartë demokratë që prej orës 6.30 të mëngjesit të së hënës, kur panë se rezultati ishte i pakthyeshëm, Sali Berisha ju shmang përgjigjes.

Sipas tij, zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk mund të ketë dhe i bëri thirrje popullit për revolta.

“Sepse në Kukës, zgjedhjet u blenë në mënyrën më të pamëshirshme. Belinda Balluku, Taulant Balla janë marrë me shpërndarje parash një javë rresht, me thasë, në Qarkun e Kukësit. Atje nuk e përcaktoi rezultatin vota, por industria e blerjes së votës.

Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe Kukësi ishte një argumentet shtesë në morinë e pafundme të fakteve që ne kemi paraqitur.

Por në një vend ku drejtësia është në kontroll total, nuk ka asnjë shpresë dhe zgjidhje tjetër përveç revoltave, protestave dhe përmbytjes së kësaj qeverie. Në një lokal në Kukës janë ul fatkeqësisht një lokal shumë i lartë i PS me drejtorin e OSHEE të qarkut”, u shpreh Sali Berisha.

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës janë fituar nga kandidati socialist Albert Halilaj, i cili ka dalë me një rezultat me mbi 5,000 vota para kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.