Rreziku i pastrimit të parave BE Shqipëria të vendosë tavan për pagesa ‘Cash’

28/08 15:50
Credits to Apollon TV
Rreziku i pastrimit të parave  BE Shqipëria të vendosë tavan për pagesa ‘Cash’

Komisioni Europian kërkon nga Shqipëria vendosjen e një tavani për pagesat me para fizike. Raporti i përputhshmërisë së kuadrit ligjor dhe rregullator të legjislacionit shqiptar me atë të unionit vlerëson se vendy ynë është pjesërisht në përputhje kur vjen puna të hetimi i pastrimit të parave. BE kujton se Shqipëria ndodhet në listën gri të monitorimit të shtuar të Task Forcës së Veprimit Financiar që nga shkurti i vitit 2020.

Pagesat me para cash ngelen dominuese në ekonominë shqiptare, megjithëse në vitet e fundit po vërehet një rritje e pagesave me instrumente alternative, kryesisht me karta bankare, thekson raporti. Përdorimi i lartë i parasë fizike në transaksionet e ekonomike favorizon informalitetin dhe krimin financiar, përfshirë këtu pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale. Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat me para fizike është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme. Aktualisht, Shqipëria nuk ka kufizime në vlerën e pagesave që mund të kryhen me para fizike për blerjen e mallrave apo shërbimeve.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.