
“Roskoveci si Budapesti”, Artan Fuga ironizon Majlinda Bufin: Ka ngatërruar rolin, nuk është guidë turistike; i kthehet kryebashkiakja: Franca qenka shumë larg jush, edhe pse shkon shpesh atje


Një postim thumbues i akademikut Artan Fuga ka sjellë një përplasje mes tij dhe kryebashkiakes së Roskovecit Majlinda Bufi.
Në postimin e tij Fuga e krahason Roskovecin me Budapestin, pasi më herët Bufi ishte shprehur llampadarët që do të vendosen në muret e Roskovecit i ka parë në Budapest, ndërsa akuzon kryebashkiaken se është kthyer në një guidë turistike e kryeministrit, duke ngatërriar rolin për të cilin është zgjedhur.
“Mor por shoh këtë kryebashkiaken e kësaj qendre të vogël urbano – rurale të Roskovecit. Shumë e shkathët, e gojës, dhe e pasionuar pas punës duket.
Por, më duket se ka ngatërruar rolin, detyrën, funksionin, ajo është përfaqësuese e komunitetit vendor, ndonëse është zgjedhur pa kandidatura të vërteta rivale në zgjedhje moniste. Por, po e le këtë. Nuk është guidë turistike e kryeministrit në fushatë elektorale njê kryebashkiake.
Këto janë skandale propagandistike mo! Zonjat kryebashkiake bëjnë rolin e guidës turistike dhe tregojnë se ku do të vendosin llampadarët nëpër mure! E kam parë në Budapest – thotë! Ku Budapesti ku Roskoveci! Po dale moj zonjë, më pak yrysh, se jemi bërë grandomanë”, shkruan ndër të tjera Artan Fuga.
Në postimin e tij ka komentuar edhe kryebashkiakja Majlinda Bufi, e cila shkruan se e mendonte Fugën si një profesor të ndarë nga politika, por tashmë e ka kuptuar që është gabuar, ndërsa shton se Franca është shumë larg Fugës, edhe pse profesori shkon shpesh atje.
“Prof si je ?
Unë jam ajo kryetarja e bashkisë rurale … Kur isha në një trajnim nga ju dhe të tjerë , edhe me Çilin bashkë në Durrës , e mban mend :
Ku ishe Henri ???
Të bëri shumë përshtypje eseja që kisha shkruar …
Më the të tjera fjalë atë ditë . Dhe unë shihja në ty deri tani , një prof të ndarë nga politika . Po si duket qënkam gabuar …
Vërtet Budapesti është shumë larg nga Roskoveci , por edhe Franca qënka shumë larg nga ju , edhe pse shkon shpesh atje …”, shkruan Majlinda Bufi.
Por nuk ka mbaruar me kaq, pasi akademiku Fuga i ka replikuar kryebashkiakes në koment, duke i thënë se për fyerjet që i janë bërë sot, i ka ulur dy nota në sjellje.
“Ate dite ne trajnim do kesh merituar dhjete se nota kot nuk ve une, por meqë më drejtohesh “profesor” sot ke nje dysh të madh sepse nuk e ke mesuar neper trajnime si eshte roli i pushtetarit lokal ne raport me fushatat elektorale, mediat dhe opinionin. Dole ne imazhe te levizshme ne publik prit pa bere ze edhe kritika jo vetem lavderime. Ndryshe je si ato dhjetanjoset që kur marrin dhjete u lavderohen shoqeve, kur marrin notë te keqe, si sot, shajnë profesorët me nënë e me babë. Dhe per fyerjet personale qe me drejtove sot, ndërkohë unë nuk te fyeva kurrë, te kam ulur edhe dy nota ne sjellje. Kurre nuk do te vija te banoja ne Roskovecin e bukur, siç planifikoja, sa kohë të jesh ti kryetare atje, duhet te jetë e frikshme, ose deri sa të bësh autokritikë të shëndoshë”, përgjigjet Fuga.

