Komisioni i Ligjeve miratoi në mbledhjen e kësaj të hëne rikthimin e lojërave të fatit online. Miratimi në komision u bë vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita voti kundër, përkatësisht me 12 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim.
Gjatë mbledhjes zëvendësministrja për Ekonominë dhe Financat, Vasilika Vjero deklaroi se nga kontrollet e kryera, u vu re se bastet sportive nuk u mbyllën asnjëherë. Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ngriti disa shqetësime që shoqërojnë këtë rikthim të basteve sportive.
Theksojmë se licencimi për kompanitë do të jetë 10-vjeçar, ndërsa tarifa do të dyfishohet duke shkuar deri në 400 milionë lekë. Në vitin 2018, qeveria mbylli mbi 4000 pika loto sportive në të gjithë vendin, duke ndaluar lojërat e fatit në Shqipëri, si në dyqane fizike dhe online.