
Reforma zgjedhore e 13 ta ! Të gjithë e duan por askush s’ka vullnet

Instituti I Studimevve Politike ka reaguar pas mesazhit të Presidentit Bajram Begaj dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla, mbi nevojën emergjente të reformës zgjedhore. Sipas ISP, “një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe afatgjatë kërkon reformimin e sistemit përfaqësues, dekriminalizimin dhe dekorruptimin e politikës përfaqësuese, reformimin e legjislacionit mbi partitë politike dhe jetësimin pa rezerva të parimeve të përfshira në nenin 9 të Kushtetutës së RSH.” Nga ana tjetër ky institut shprehet se ka munguar vullneti politik nga të gjitha palët, përfshi maxhorancën për të patur një reformë zgjedhore. Sipas “ISP qeveria nuk ka vizion dhe as platformë propozimi për reformën, si dhe vetë Kuvendi nuk ka përmbushur detyrimet e veta ligjore dhe respektimin e vendimeve të tij për komisionin e reformës zgjedhore.” Për sa më sipër ISP beson se pikënisja e çdo ndryshimi cilësor dhe pozitiv në Shqipëri është integriteti i votës së fshehtë, konkurrenca efektive politike, zgjedhjet me standarde dhe legjitimiteti i fortë që buron prej tyre. Për këtë kërkon jetësimin pa vonesë të komisionit të Reformës Zgjedhore, duke përfshirë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR. Kujtojmë se edhe në mbledhjen e parë të deputetëve opozitarë, vendimi I parë ishte ai për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku u kërkua një rikonceptim i këtij komisioni dhe detyrave që duhet të përmbushë në afate të qarta kohore. Ky komision është I 13-të në historinë parlamentare të vendit tonë.