
Reagon BE për rrëmbimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano,ka reaguar për rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri.
Diplomati i BE ka thënë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë, si dhe KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj se çfarë ka ndodhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Në një prononcim për mediet kosovare, Stano ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet apo thirrjet që tensionojnë edhe më shumë situatën mes dy vendeve.
“Ne jemi , si çështje urgjente, në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, ka deklaruar Stano.