
Qeveria shqiptare dëmshpërblen me mijëra euro ish-prokuroren Antoneta Sevdari

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për të dëmshpërblyer me mijëra euro ish-prokuroren Antoneta Sevdari. Kjo e fundit u shkarkua nga vettingu, por Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg gjeti shkelje.
Qeveria shqiptare ka vendosur të zbatojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, për të dëmshpërblyer ish-prokuroren e shkarkuar.
“Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, në shumën 19,600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5,000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të ish-prokurores Antoneta Sevdari nga Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit në vitin 2019, duke e konsideruar atë “disproporcional”.
Megjithatë, GJEDNJ theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk shërbente për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vettingut në Shqipëri.