Policia e Tiranës shpall në kërkim dy persona: U futën me forcë te zyrat e FRD-së (EMRAT)

13/03 8:04
Credits to Apollon TV

Dy persona janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, dhe akuzohen se kanë hyrë me forcë godinën e Frymës së Re Demokratike, ku dje u regjistruan përplasje të forta.

Sipas Policisë, janë shpallur në kërkim shtetasit Agim Hoxha, 55 vjeç dhe Afrim Sufa, 46 vjeç, dhe aktualisht po punohet për kapjen e tyre. 

“Më datë 13.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e  shtetasve A. H., 55 vjeç dhe A. S., 46 vjeç, sepse më datë 12.03.2021, në rrugën “Abdi Toptani”,  kanë hyrë të paautorizuar në një godinë, duke kundërshtuar punonjësit që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të cilët kanë qenë në ruajtje të objektit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Po punohet për kapjen e shoqërimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. Kujtojmë se, dje policia bashkiake e Tiranës i kërkoi drejtuesve të FRD-së që të lironin zyrat pasi ato janë pronë e Bashkisë. 

I pranishëm ishte dhe presidenti Meta, i cili u përfshi në përplasje fizike me drejtues të policisë dhe policë bashkiakë.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.