Policia e Shtetit kërkon rikonstruksionin e Komisariatit të Kamzës: Është dëmtuar nga tërmeti, s’ka vend për të arrestuarit

08/09 19:23
Credits to Apollon TV
Policia e Shtetit kërkon rikonstruksionin e Komisariatit të Kamzës: Është dëmtuar nga tërmeti, s’ka vend për të arrestuarit

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur t’i hapë rrugë rikonstruksionit të Komisariatit nr.5 në Kamëz. Katër vite pas tërmetit tragjik të Nëntorit 2019, thuhet se ambientet e Komisariatit janë amortizuar dhe duhet të ndërhyhet.

Po ashtu, DPPSH thotë se në ambientet e këtij stacioni policor nevojitet më shumë hapësirë për ushtrimin normal të aktivitetit, shkruan newsbomb.al.

Sipërfaqja e përgjithshme e objektit është 621 m2 dhe projektim kërkohet për të tre katet e Komisariatit të Kamzës. Tenderi ka një vlerë 37 milionë lekë të vjetra dhe operatorëve ekonomikë të interesuar u kërkohet të paraqesin ofertat deri më 18 Shtator.

Përsa i përket godinës kryesore, në dokumentin e projektimit specifikohet se:

“Në këtë objekt do të akomodohet administrata e komisariatit të policisë, me një efektiv rreth 146 punonjës (punonjës të përhershëm që do të akomodohen në zyrë 73 punonjës, pjesa tjetër është patrullë e lëvizshme).

M.q.s sipërfaqja totale ekzistuese ndërtimore e objektit është rreth 523.15 m2, nga ana e projektuesit të shikohet mundësia e krijimit të hapësirave për funksionimin në bazë seksioni, nëpërmjet hapjes/zgjerimit/ heqjes së mureve ndarëse duke bërë një ndarje brenda kësaj hapësire për shefat e seksioneve.”

Parashikohet që pas projektimit, të kryhet dhe ndërhyrja për rikonstruksionin e menjëhershëm me vlerë totale 1.28 miliardë lekë të vjetra, ose 128 milionë lekë të reja. Si vit i parashikuar për rikonstruksion është parashikuar viti aktual, ndaj pritet që në muajt e ardhshëm të nisë puna për Komisariatin e Kamzës.  

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit si Autoritet Kontraktor kërkon që nga ana e projektuesit të shikohet mundësia e shfrytëzimit të tarracës për instalimin e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike, shkruan newsbomb.al.

Nisur nga një rast i rëndë i ndodhur gati një vit e gjysmë më parë, ku një 29 vjeçar u vuri zjarrin qelive të paraburgimit dhe u asfiksua dhe vetë, Policia kërkon që Dhomat e reja të Shoqërimit të jenë komode dhe të sigurojnë qëndrim normal të personave të shoqëruar.

Po ashtu, referuar dokumenteve të tenderit duhet që Dhomat e Shoqërimit të jenë të vendosura në të njëjtën godinë ku ushtron aktivitetin dhe njësia policore, në mënyrë që të shkurtohet koha për kryerjen e veprimeve policore.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.