
Policia e Kosovës në deklaratë të jashtëzakonshme: Zyrtarët policorë u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës, thirrën ndihma por…

Policia e Kosovës, në një deklaratë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se ka vënë në dije autoritetet ndërkombëtare përfshirë edhe KFOR-in, në mënyrë që t’i ushtrojnë presion Serbisë për të liruar tre zyrtarët policorë të marrë peng ditën e sotme.
Policia e Kosovës tha se zyrtarët policorë janë rrëbmyer nga ekipe speciale serbe thellë brenda territorit të Kosovës, në një zonë ku ata shërbenin prej dy vitesh.
Tre zyrtarët e Policisë së Kosovës janë marrë peng ditën e sotme nga forcat speciale serbe të cilat dyshohet se kanë hyrë thellë brenda territorit të Kosovës. Ata janë dërguar në Beograd.
Pjesë nga deklarata e Policisë së Kosovës:
Sot në mesditë, në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se njësitet speciale të Serbisë, në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë të policisë së Kosovës. Ka ndodhur një kidnapim klasik. Policia ka qenë me detyrë në pikë statike brenda territorit të Kosovës. Kanë qenë me detyrë që të parandalojnë kalimet ilegale, kontrabandimet. Policia ka qenë në pikë statike në një lokacion që e mbulon për dy vite.
Ata kanë parë se në atë zonë kanë lëvizur persona të dyshuar të maskuar dhe të armatosur. Menjëherë njësi të tjera kanë shkuar në asistencë në atë zonë, kur kanë arritur kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo tre zyrtarët policorë.
Policët tanë janë policë patrullues, janë paqeruajtës. Ata janë zyrtarë të cilët zbatojnë ligjin. Janë familjarë, prindër, dhe presin fëmijët e tyre që të kthehen në shtëpitë e tyre. Kidnapime të tilla klasike, serbët janë duke i përdorur në mënyrë që të mbrojnë kriminelët që kanë rrezikuar zyrtarët, kanë thyer ligjin e Republikës së Kosovës duke mos ju kursyer as ju si media.
Sidoqoftë, policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik të ndodhur thellë në territorin e Kosovës. Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë për kryerjen e detyrave të saj kushtetuese dhe ligjore.