
Përshkallëzohet lufta/ Sulme me dronë në Rusi, digjen avionët dhe mbyllen aeroportet; Shpërthime edhe në Kiev

Një natë aspak e lehtë ka qenë ajo e kaluara për Rusinë dhe Ukrainën. Sipas autoriteteve ruse mësohet se në 7 rajone në Rusi ka pasur sulme me dronë. Si pasojë e sulmeve janë mbyllur përkohësisht tre aeroporte; Domodedovo, Vnukovo dhe Sheremetyevo.
Ndërkohë, janë djegur edhe aeroplanët rusë të mallrave në aeroportin e qytrtit veriperëndimor rus të Pskov. Gjitashtu edhe dy avionë transporti ushtarak Ilyushin 76 u dëmtuan në aeroportin pranë kufirit me Estoninë dhe Letoninë, qindra milje nga zona e luftës në Ukrainë. Ministria ruse e mbrojtjes raportoi se gjashtë rajone u shënjestruan në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në atë që duket të jetë sulmi më i madh me dron në tokën ruse që nga nisja e luftës në Ukrainë në shkurt 2022. Pamjet dhe imazhet e postuara në mediat sociale treguan tymin që ngrihej mbi qytetin e Pskov, ndërkohë më shumë dronë u rrëzuan mbi Oryol, Bryansk, Ryazan, Kaluga dhe rajonin e Moskës që rrethon kryeqytetin rus.
Ukraina nuk ka deklaruar përfshirjen, por rrallë komenton sulmet brenda Rusisë, të cilat janë bërë më të shpeshta javët e fundit.
Përtej kufirit në Ukrainë, të paktën dy persona u vranë dhe dy u plagosën në një sulm në Kiev të mërkurën në mëngjes. Ky lajm u bë me dije nga kryebashkiaku Vitali Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram. Trupat e dy personave u gjetën në një ndërtesë jo-rezidenciale dhe një person u plagos nga copa xhami.
Ndërsa, kreu i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, tha se Kiev nuk ka përjetuar deri më tani një sulm kaq të fuqishëm.
“Kiev nuk ka përjetuar një sulm kaq të fuqishëm që nga pranvera. Armiku nisi një sulm masiv, të kombinuar duke përdorur dronë dhe raketa”, tha ai.
Rusia raportoi gjithashtu se ka goditur varkat sulmuese ukrainase në Detin e Zi , duke lënë të vdekur dhjetëra ushtarë.
Ushtria e qytetit të Kievit shkroi në Telegram se më shumë se 20 raketa dhe drone u “shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore”.