
Pëllumb Pipero: Mrekullinë nuk e presim vetëm nga vaksina, këto do të jenë armët e tjera deri në fundin e pandemisë, ja sa përqind e shqiptarëve duhet të jenë prekur nga COVID


Mjeku i Infektivit Pëllumb Pipero ka folur në lidhje me situatën e pandemisë në vendin tonë dhe vaksinën që pritet të vijë në Shqipëri në javën e tretë të janarit.
Sipas tij, mrekullia nuk duhet pritur vetëm nga vaksina, edhe pse kjo do të jetë arma kryesore për t’i dhënë fund kësaj pandemie.
Mjeku u shpreh se maska, distance dhe higjiena personale do të jenë armët e tjera deri në fundin e kësaj pandemie, ndeërsa shtoi se beson se në Shqipëri janë prekur nga virusi 25-30% qytetarë.
“Vaksina e prodhuar në mes të kësaj pandemie është lajmi më i mirë i mundshëm. Kjo vaksinë shënon fillimin e fundit të kësaj pandemie. Mrekullinë nuk e presim vetëm nga vaksina, por sigurisht që vaksinimi është arma kryesore. Maska, distanca dhe higjiena do të jenë armë të tjera deri në fundin e pandemisë.
Në një studio unë kam thënë që shpresoj që vaksina të vijë në Shqipëri në fund të dhjetorit ose në gjysmë të janarit. Duhet ta dimë që kapacitetet prodhuese janë ende të vogla. Unë e mësova lajmin për vaksinat kur e tha kryeministri.
Përmes vaksinimit ne bëjmë imunizimin pasiv. Imuniteti i tufës do të thotë imunitet natyral. Ne ende nuk kemi një studim që të dimë se sa përqind e popullatës e ka kaluar virusin. Në dijeninë time nuk ka në asnjë vend të botës një studim të tillë. Në opinionin tim Shqipëria duhet të jetë mbi 25-30% të personave të prekur nga COVID-19”, tha Pipero.