
PAMJET e Inteligjencës Kosovare: Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe drejton grupin terrorist! Mbulojnë fytyrat sapo shikojnë dronin

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka ndarë pamjet e kapura nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës që tregojnë se në krye të grupit të terroristëve që sulmuan policët shqiptarë, qëndron Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkruan ai.
Grupi i terroristëve që i shpëtoi Policisë së Kosovës dhe iku nga mali, nga Manastiri i Banjskës drejt territorit të Serbisë, shihet teksa pushon në një ambient që në dukje është shtëpi.
Disa prej personave që rrethojnë Milan Radojçiq shfaqen duke çaluar, ç’ka tregon se pamjet janë pas përplasjes me armë me Policinë e Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe, që ministri Sveçla thotë se është në krye të këtij grupi, shfaqet tepër i nervozuar.
Pas disa momentesh, personat e armatosur shikojnë dronin, mbulojnë fytyrat dhe futen brenda ambienteve të godinës.
“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, shkruan ministri Xhelal Sveçla.