
Pak orë para përfundimit të afatit për listat, projekti i financuar nga SHBA plas “BOMBËN: Tom Doshit i është hequr edhe viza australiane


Dita e sotme është edhe afati i fundit për partitë që të dorëzojnë në KQZ listat e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit.
Por vetëm pak orë para përfundimit të këtij afati, emisioni “31 minuta” që financohet nga SHBA ka patur në fokus dekriminalizimin, ku ka zbuluar se Tom Doshit nuk i është ndaluar hyrja vetëm në SHBA, por edhe në Australi.
Investigimi ka treguar që Doshit i është ndaluar hyrja në Australi nga Ministria e Brendshme australiane në qershor të vitit 2015, pasi bazuar në informacione konfidenciale të ministrisë, Tom Doshi nuk e kalonte testin e karakterit.
“31 minuta” ka kontaktuar edhe me avokatin e Tom Doshit, Vladimir Meçen. Avokati thotë se gjykata australiane ka “shpallur” defakto fitues Doshin, duke i lënë barrën e provës ministrisë së Brendshme që të provojë arsyet pse Doshi nuk e kalon dot “testin e karakterit”.
“Ky vendim apo kjo masë e marrë nga ministri i Brendshëm i Australisë është revokuar, është pranuar pjesërisht ankimi i z.Doshit dhe çështja i është kthyer sërish ministrit të Brendshëm. Kush është familjar me procesin gjyqësor, gjykata ka vendosur rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore, Doshi mori 21 mijë dollarë, dhe rimbursimi bëhet për palën fituese. Fakti që i është ndaluar apo revokuar viza në Ministri të Brendshme s’përbën shkak për të mos garuar në zgjedhje. Po pret një vendim nga ministri. Republika e Shqipërisë është një shtet i së drejtës, kemi këtë në Kushtetutë, në nenin 4. E përsakohë që në ligjin për dekriminalizimin kjo nuk quhet pengesë ligjore është e drejta e një individi që të kandidojë edhe kur i ndalohet hyrja në një shtet”, tha Meçe.
Doshit iu refuzua edhe viza amerikane në vitin 2018, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”, por deputeti tha se nuk e kishte problem pasi kishte vizë australiane.
“Fëmijët e mi janë nënshtetas australianë s’kanë nevojë as për vizë amerikane, as kanë qenë asnjëherë në Amerikë, as gruaja ime as fëmijët e mi. E gjithë kjo punë është a e merr vizën apo se merr. E dyta kam aplikuar në ambasadë në kohën që kam qenë në hetim, nuk më është thënë që të refuzohet. Merr një letër nga prokuroria më kanë thënë, dihej që isha në hetim. Nuk më është refuzuar me shkrim, apo me vulë”, tha Doshi në 2018.
Pra, Doshi nuk ka treguar të vërtetën në deklaratën e tij të vitit 2018, pasi SHBA dhe Australia ia kishin refuzuar vizën.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane Yuri Kim ripublikoi vendimin e DASH për Doshin veteëm pak javë më parë, duke nënkuptuar se Tom doshi nuk duhet të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.