Operacioni për lirimin e plazheve, Voltana Ademi dyshuese: Është jo efektiv, ka korrupsion; jemi në korrik dhe Ministria nuk ka ndarë ende stacionet

01/07 13:36
Credits to Apollon TV
Operacioni për lirimin e plazheve, Voltana Ademi dyshuese: Është jo efektiv, ka korrupsion; jemi në korrik dhe Ministria nuk ka ndarë ende stacionet

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, thotë se operacioni i zhvilluar nga Policia në gjithë vendin për lirimin e plazheve, dhe veçanërisht në Velipojë, nuk është efektiv. Sipas Ademit, në këtë zonë vetëm 4 subjekte kanë marrë leje për shfrytëzimin e plazhit.

“Unë kam pasur një komunikim me drejtorinë e policisë vendore i kam informuar se situate është e paprecedente sepse kontrolli bëhet joefektiv kur në të gjithë plazhin e Velipojës janë vetëm 4 subjekte që kanë marrë leje për stacionet e plazhit. Ndërkohë shumë të tjerë, me dhjetëra janë akoma në proces. Ministria nuk ka përfunduar ashtu siç do duhej ta kishte bërë për ndarjen e stacioneve të plazhit”, u shpreh ajo për mediat.

Kryebashkiakja e Shkodrës ngriti dyshimet për korrupsion.

“Mendoj që ndërhyrja e policisë siç po e bëjnë, nuk është korrekte. Ne kemi bërë aksione të lirimit të plazheve por janë në proces të firmosjes së kontratave. Fakti që është kaq vonë lë vend për dyshime korruptimi dhe dëmton sezonin turistik. Ndërhyrjet e këtij lloji duhet të jenë të studiuara.”

Sipas Voltana Ademit, nuk ka ndodhur më herët që në korrik Ministria të mos ketë ndarë ende stacionet e plazhit.

“Nuk ka ndodhur që në korrik mos të kemi përfunduar ende ndarjen e stacioneve të plazhit. Ne zakonisht në korrik kemi vijuar me monitorimin e zbatimit të kontratave. Në 4 vite që është administruar në pushtetin vendor, nuk kemi pasur të shënuara ngjarje të tilla të rënda. Kjo përbën një akuzë dhe unë e nënvizoj.

Fakti që ka mosmarrëveshje të tilla është një tregues i mirë që çdo gjë territoriale duhet të menaxhohet në nivelin territorial ashtu siç e përcakton ligji. Çdo përpjekje për marrjen e kompetencës, sjellë këto konflikte.”

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.