‘Ofensiva’ e Ahmetajt në drejtësi / Pavlefshmëri të provave dhe zhbllokim llogarish

21/09 13:25
Credits to Apollon TV
‘Ofensiva’ e Ahmetajt në drejtësi / Pavlefshmëri të provave dhe zhbllokim llogarish

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po vijon betejën me drejtësinë shqiptare në dy fronte. Në drejtimin e parë, ai po synon pavlefshmërinë e provave të mbledhura nga prokurorët e posaçëm gjatë kontrolleve të kryera në vilën në Hamallaj, që është zyrtarisht në emër të partneres së tij. Duke qenë se banesa në fjalë nuk figuron në emër të Ahmetajt, që në atë kohë gëzonte imunitetin e deputetit, SPAK e kontrolloi pa marrë më parë miratimin e Parlamentit. Por, me pretendimin se në këtë vilë banonte edhe ai, Ahmetaj kërkon nga gjykata kushtetuese shpalljen si të paligjshme të këtyre kontrolleve. Qëllimi i betejës në Kushtetuese nuk është zhbërja e kontrolleve, pasi ato tashmë janë fakt. Qëllimi është që me vendim gjyqësor të shpallen të pavlefshme provat që oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimi kanë grumbulluar gjatë kontrollit në këtë vilë. Fronti i dytë që ka hapur Arben Ahmetaj është zhbllokimi i pasurive të vendosura nën sekuestro preventive. Një kërkesë e tillë është dorëzuar në gjykatën e posaçme për një nga llogaritë e tij bankare. Në total, Ahmetajt i janë vendosur nën sekuestro dy llogari bankare me një shumë rreth 125 mijë euro.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.