
Nisin negociatat për veriun, Lajçak takohet në Bratislavë me Bislimin

Miroslav Lajçak, emisari i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është takuar këtë të hënë me zv/kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi. Ai thotë se në qendër të bisedës kanë qenë hapat për depërshkallëzimin e situatës në Veri.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun thotë se me Bislimin kanë rënë dakord për ndërmarrjen e hapave konkret.
“Patëm një diksutim bilateral intensiv sot në Bratislavë me Zëvendëskryemiministrin Besnik Bislimi për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, sipas deklaratës së 3 qershorit nga Bashkimi Evropian dhe për rrugën e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. U pajtuam për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, ka shkruar Lajcak në Twitter.
Bashkimi Evropian ka propozuar që kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore të tërhiqen nga ndërtesat komunale dhe të punojnë në objekte alternative derisa të mbahen zgjedhje të reja. Propozimi i BE-së është edhe kërkesë e SHBA-së.
Tërheqja e serbëve me vullnetin e tyre nga institucionet në Veri të Kosovës, bëri që Albin Kurti të ndërmerrte mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kryetarët e rinj u zgjodhën dhe ata ishin pjesë e shqiptarëve, ndërsa futja në zyrat komunale dhe mbrojtja me polici nxiti protesta të dhunshme.
Për disa ditë me radhë serbët protestuan para ndërtesave komunale dhe sulmuan Policinë e Kosovës dhe trupat e KFOR. Ngjarja është dënuar nga ndërkombëtarët, kurse kryeministrit Albin Kurti i është kërkuar që kryetarët e komunave të tërhiqen dhe të ushtrojnë aktivitetin në objekte të tjera.