Nga Shqipëria dhe Kosova, dy pilotet ushtarake që bashkojnë SHBA dhe Shqipërinë në “Defender 2021”

25/05 15:05
Credits to Apollon TV
Nga Shqipëria dhe Kosova, dy pilotet ushtarake që bashkojnë SHBA dhe Shqipërinë në “Defender 2021”

Në stërvitjen më të rëndësishme që zhvillohet në Evropë, “Defender 2021” marrin pjesë edhe dy pilote shqiptare, Valdete Mehanja dhe Armela Murati. Nëntogere Valdete Mehanja ka lindur në Kosovë, por prej vitesh ajo është pilote helikopteri me Regjimentin e Aviacionit 1-131, në Gardën Kombëtare të Alabamës. Ajo ka ardhur në Shqipëri si pjesë e trupave amerikane që po marrin pjesë në stërvitjen “Defender 2021”. Por në bazën ajrore të Farkës ajo është takuar me të vetmen vajzë të kursit të pilotit për helikopterët ushtarakë, nëntogeren Armela Murati, e cila i është bashkuar prej një viti Forcave të Armatosura Shqiptare.

Nëntogere Mehanja thotë se për të ishte e papritur të vinte në Shqipëri si ushtare amerikane, pasi nuk kishte qenë asnjëherë më parë, teksa tregoi edhe arsyen përse kishte zgjedhur t’i bashkohej ushtrisë amerikane.

“I jam bashkuar ushtrisë amerikane, sepse kjo ushtri, veçanërisht Amerika e ka ndihmuar shumë popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Dhe e ndiej veten si në borxh”.

Ndërsa nëntogere Armela Murati thotë se ka marrë mbështetje dhe kurajo në një mjedis ku mbizotërojnë burrat.

“Nuk kisha synim të bëhesha pilote. Thjesht doja t’i shërbeja vendit tim, fati deshi që unë t’i bashkohem Forcës Ajrore dhe tashmë jam edhe kursante. Presioni është goxha i madh, por unë kam ardhur me synime të qarta dhe dua që këtë hap që kam hedhur ta çoj deri në fund”, shprehet nëntogere Murati, e cila inkurajohet edhe nga nëntogere Valdete Mehanja, që ka kaluar 11 vjet për të arritur deri këtu.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.