Në zonë të thepisur, pa ujë dhe bukë FNSH dhe RENEA shpëtojnë 2 turistët francezë

07/09 13:42
Credits to Apollon TV
Në zonë të thepisur, pa ujë dhe bukë FNSH dhe RENEA shpëtojnë 2 turistët francezë

2 turistë francezë që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, tek shpella e Pëllumbasit janë shpëtuar nga policia e Tiranës.

Pas njoftimit se dy turistët kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur, gjatë eksplorimit të natyrës, forcat policore janë nisur në drejtim të kësaj adrese, bashkë me shërbimet e Forcave Speciale “Shqiponja”.

Raportohet se pas disa orësh kërkime, para mesnatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë, as ushqim.

Pasi iu kanë dhënë ndihmën e parë, për shkak të terrenit te rrezikshëm, shërbimet e Policisë kanë kërkuar shërbime të specializuara për të nxjerrë turistët nga vendi ku ishin bllokuar.

Në ndihmë të tyre kanë shkuar Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të Policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca.

Bëhet me dije se dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.