Në SHBA e konsiderojnë ‘të pashembullt’ mësymjen në Kongres, Policia njofton për 4 të vdekur

07/01 7:34
Credits to Apollon TV
Në SHBA e konsiderojnë ‘të pashembullt’ mësymjen në Kongres, Policia njofton për 4 të vdekur

4 të vdekur është bilanci i protestave të dhunshme që u regjistruan dje në Kongresin amerikan, nga mbështetës të Donald Trump, të cilët tentuan të pengonin numërimin e votave për të vendosur për presidentin e ri të SHBA-ve.

Kongresmenë republikanë e demokratë e kanë konsideruar të turpshme dhe të pashembullt mësymjen e djeshme në Kongres. 

“Ata anëtarë të Kongresit që mbështetën këtë sulm ndaj votës së Kolegjit Zgjedhor do t’i kenë emrat e tyre të shkruar përgjithmonë me bojë dhe të gjithë duhet t’i dinë ata emra”, ka thënë Dan Kildee, anëtari demokrat në Kongres.

Ndërkohë, Policia ka njoftuar se veç gruas së re që u qëllua me armë në gjoks brenda Kongresit dhe ndërroi jetë, edhe tre persona të tjerë fatkeqësisht kanë vdekur. Ata kanë ndërruar jetë gjatë prërplasjeve të dhunshme për shkak të “urgjencave mjekësore”. 

“Një e rritur femër dhe dy meshkuj të rritur duket se kanë vuajtur nga urgjenca të veçanta mjekësore, të cilat rezultojnë në vdekjen e tyre. Çdo humbje e jetës në Qark është tragjike dhe mendimet tona janë me këdo që preket nga humbja e tyre”, ka bërë me dije shefi i Policisë Robert Contee. 

Gjithashtu, më shumë se 50 protestues janë arrestuar nga Policia, ndërsa shumë oficerë janë plagosur gjatë përplasjeve me mbështetësit e Trump.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.