Ndihmoi 4 kosovarë të kalonin kufirin ilegalisht, arrestohet në Portin e Durrësit 51-vjeçari

14/03 9:44
Credits to Apollon TV

Policia e Durrësit ka arrestuar një 51-vjeçar pasi është kapur nga Policia Kufitare duke transportuar 4 shtetas kosovarë me dokumente të personave të tjerë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë intensifikuar kontrollet, si në dalje ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një mjet furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. N., ku ndodheshin 4 shtetas kosovarë, të cilët shtetasi S. N. do i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufirin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme me të disa shtetasve të tjerë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. N., 51 vjeç, banues në Belgjikë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, shtetasit kosovar: A. H., 35 vjeç, B. D., 33 vjeçe, L. M., 26 vjeç dhe S. Zh., 40 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe automjeti me të cilin po transportoheshin. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.