
Ndërron jetë nga Covid personaliteti i njohur, mjeku i nderuar Sulejman Peza. U shpall ‘Njeriu i Shekullit XX’ nga Instituti i Biografive në Kembrixh


Një lajmi trishtë ndarja nga jeta e personalitetit të njohur, intelektualit, aktivistit, mjekut veterinar dr.Sulejman Peza. Ai ishte një figurë mjaft e njohur në qytetin e Elbasanit, por jo vetëm.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe familjarëve, ai nuk mundi ta mposhtë virusin e kobshëm Covid. Lajmi ka hidhëruar pa masë familjen, të afërmit, shokët dhe miqtë.
Veprimtaria e tij është mjaft e gjërë dhe komplekse në lëmi të ndryshme. Për kontributet e pazëvendësueshme që ka dhënë në mjaft aspekte, ai është vlerësuar me çmime, tituj e medalje brënda e jashtë vendit. Në shkurt të këtij viti ai mori edhe titullin “Nderi i Qarkut të Elbasanit”.
Sulejman Peza, ka mbaruar shkollën 7-vjeçare në qytetin e Peqinit në vitin 1956, ndërsa më pas vijoi shkollën e mesme në Teknikumin Veterinar në vitin 1960 në qytetin e Shkodrës. Në shkollën e mesme shquhej si futbollist ku për 2 vjet rresht ka luajtur me të rinjtë e klubit të sportit të Vllaznisë duke u shpallur dhe kampion kombëtar.
